E martë, 28 Tetor, 2025

Revista franceze artikull për Dua Lipën/ Armë diplomatike e pop-it

Revista prestigjioze franceze Le Point i ka kushtuar një artikull të gjatë dhe të detajuar këngëtares me famë botërore, Dua Lipa, duke e cilësuar atë si një “armë diplomatike të popit” që ka bërë të njohur Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Në artikull, Le Point vë në pah se fenomeni Dua Lipa vazhdon të lërë gjurmë në skenën globale të muzikës, ndërsa thekson faktin se ajo nderon vendet që formësuan identitetin e saj dhe ato, nga ana tjetër, e nderojnë atë. Këtë verë, Kosova i dha zyrtarisht shtetësinë këngëtares, në një ceremoni të mbajtur më 1 gusht 2025 në Prishtinë, një ditë pas nënshkrimit të dekretit nga presidentja Vjosa Osmani.

Kjo shtetësi është e treta për artistën e lindur në Londër, pas asaj britanike dhe shqiptare, të cilën e kishte marrë më herët në vitin 2022 për kontributin e saj në promovimin e kulturës shqiptare në botë.

Sipas Le Point, ky është një gjest simbolik që forcon lidhjen e saj të gjatë me vendin e origjinës së familjes. Presidentja Osmani e cilësoi Dua Lipën si një nga figurat më emblematike kulturore në historinë e Kosovës, ndërsa muzikanti kosovar Genc Salihu e quajti atë “prokuroren e përgjithshme të luftës për emancipim”, duke e cilësuar si burimin më të madh të krenarisë për të rinjtë kosovarë.

Në artikull përmendet edhe jeta e hershme e këngëtares, me prindër të larguar nga Kosova në vitet ’90 për shkak të luftës, dhe kthimin e saj në Londër në moshën 15-vjeçare për të ndjekur ëndrrën muzikore. Megjithatë, lidhja me Kosovën mbeti e pandarë dhe e fuqishme.

Le Point thekson se ndonëse Kosova mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë dhe përballet ende me mungesën e njohjes nga disa shtete, ndikimi kulturor i saj po rritet falë figurave të diasporës si Dua Lipa dhe Rita Ora. Me mbi 88 milionë ndjekës në Instagram dhe 65 milionë dëgjues mujorë në Spotify, fama e saj tejkalon kufijtë dhe popullsinë e vetë vendit të saj të origjinës.

Artikulli kujton gjithashtu polemikën e vitit 2020 kur Lipa ndau një hartë të “Shqipërisë së Madhe” në rrjetet sociale, një akt që u interpretua nga disa si nacionalist, por që ajo e mbrojti si një shprehje e krenarisë kulturore.

Përmes iniciativave si festivali “Sunny Hill”, të cilin e bashkëthemeloi me të atin, Dukagjin Lipa, Dua ka sjellë Kosovën në vëmendjen ndërkombëtare jo vetëm si një vend i muzikës moderne, por edhe si një destinacion i kulturës rinore dhe kreativitetit. Festivali është kthyer në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon, duke tërhequr artistë të mëdhenj dhe vizitorë nga e gjithë bota.

Në përmbyllje, Le Point e vendos suksesin e Dua Lipës në të njëjtën linjë me fenomenin e “Valës Koreane” (Hallyu), që e bëri Korenë e Jugut një fuqi globale kulturore. Sipas revistës, ylli i popit ka arritur të bëhet ambasadorja më e fortë e një vendi të vogël ballkanik në hartën globale.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit