E enjte, 18 Prill, 2024

KE: Vetëm Shqipëria nuk po arrin të ulë kreditë me probleme

kredite-1Raporti i tremujorit të dytë i Komisionit Europian, publikuar sot, e vë theksin në nivelin e lartë të borxhit të Shqipërisë, kreditë e larta me probleme, deficitin e madh tregtar e  të llogarisë korente, mosrealizimin e shpenzimeve kapitale. Vlerësohet se ka vijuar rimëkëmbja ekonomike në tremujorin e pare…   
Komisioni Europian ka publikuar sot raportin e tremujorit të dytë për vendet kandidate dhe potenciale kandidate për tremujorin e dytë 2016. Për Shqipërinë raporti e vë theksin në nivelin e lartë të borxhit të Shqipërisë, kreditë e larta me probleme, që vetëm në Shqipëri nuk arritën të ulen në tremujorin e parë, deficitin e lartë të llogarisë korente si dhe nivelin e ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale. Vlerësohet se ka vijuar rimëkëmbja ekonomike në tremujorin e parë, ndërsa përmendet si zhvillim pozitiv dalja me suficit buxhetor në muajt e parë të vitit.
Sipas raportit, rimëkëmbja ekonomike në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar në vitin 2016, edhe pse rritja u ngadalësua në disa vende. Performanca e rritjes vazhdon të mbështetet në investime të forta publike dhe private dhe, në disa raste, një zgjerimin e rikuperimit të më shumë sektorëve ekonomikë. Në të njëjtën kohë, konsumi privat ka mbetur disi i ndrydhur, duke pasqyruar, ndër të tjera, stanjacionin e pagave dhe pensioneve në shumicën e vendeve, si dhe besimin ende të dobët të konsumatorit. Performanca e eksportit në rajon ka fituar ritmin, por mbetet në përgjithësi modeste, pavarësisht rimëkëmbjes së partnerëve kryesorë tregtarë të BE-së. Rimëkëmbja ka çuar në krijimin e vendeve të punës në sektorin privat, por shkalla e papunësisë mbetet e lartë. Me gjithë përparimin në konsolidimin fiskal, nivelet ende të larta të borxhit publik në shumicën e vendeve të rajonit mbeten shkak për shqetësim.
Dinamika e rritjes është ngadalësuar në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tremujorin e parë të vitit 2016. Në Mal të Zi, rritja reale e prodhimit ra në 1.1% me bazë vjetore si rrjedhojë e tkurrjes të eksporteve dhe konsumit të dobët të qeverisë. Në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë rritja vjetore e PBB-së reale është ngadalësuar më dukshëm në 2.0%, krahasuar me 3.9% në tremujorin e mëparshëm. Të dhënat e PBB-së së tremujorit të parë ende nuk janë publikuar për Shqipërinë, por treguesit në dispozicion sugjerojnë se konsumi privat dhe investimet e vazhdueshme kanë vazhduar të  mbështesin rimëkëmbjen ekonomike.
Inflacioni i ulët i vazhdueshëm mbetet një karakteristikë kryesore e ekonomive të Ballkanit Perëndimor, duke reflektuar çmime të ulëta të mallrave, hendeqet negative prodhimit, kërkesën e dobët të brendshme dhe stabilitetin e kursit të këmbimit.
Me përjashtim të Shqipërisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur të ulin nivelin e kredive me probleme (NPL) në tremujorin e parë të vitit 2016 krahasuar me atë të mëparshëm.
Për Shqipërinë, raporti thekson se nielet e larta të kredisë me probleme vazhdojnë të kufizojnë kredidhënien.
Të gjitha vendet e rajonit ende kanë raporte në mënyrë të konsiderueshme të larta të NPL-ve në krahasim me nivelet e para krizës. Serbia dhe Shqipëria kanë raportet më të larta në 20.9% dhe 18.9% respektivisht të totalit të kredive, e ndjekur nga Bosnje dhe Herzegovina (13.2%), Mali i Zi (12.9%) dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (10.9%).
Në Shqipëri, realizimi i shpenzimeve në mënyrë të konsiderueshme poshtë planit dhe rritja e të hyrave buxhetore ka rezultuar në një suficit buxhetor prej 1.2% të PBB-së në pesë muajt e parë të vitit 2016, krahasuar me një deficit prej 4% në vitin 2015 si një e tërë. Raporti vë në dukje së në Shqipëri, shpenzimet kapitale kanë tendencë të mos realizohen, si rrjedhojë e dobësisë në menaxhimin e investimeve publike.
Raporti thekson se vendet e rajonit vazhdojnë të përjetojnë shpenzime të ulëta kapitale, duke reflektuar dobësi të vazhdueshme në planifikimin, zgjedhjen dhe menaxhimin e investimeve publike. Nivelet e borxhit publik janë ende një shkak për shqetësim edhe pse ata rënë në pothuajse të gjitha vendet e rajonit në tremujorin e parë të vitit 2016. Në mënyrë të veçantë, në tremujorin e parë borxhi ndaj PBB-së ka rënë në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe ish-Republikën Jugosllave e Maqedonisë në 70.4%, 73.7%, 59.3% dhe 36.8% të PBB-së, respektivisht.
Zhbalancimet e jashtme mbeten shqetësim në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që pasqyrohet në deficite të mëdha të tregtisë së mallrave të cilat shkojnë nga rreth 13% e PBB-së për Serbinë, mbi 20% për ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë dhe më lart 40% për Kosovën dhe Malin e Zi.
Në Shqipëri, deficiti i llogarisë korrente ka mbetur në 11.2% të PBB-së, pasi rritja e deficitit tregtar në mallra është kompensuar nga një tepricë më e lartë e shërbimeve./Monitor/

Artikuj te ngjashem

Me te fundit