E premte, 26 Prill, 2024

Shteti duhet t’i kthej 57 milion dollarë Bankers Petroleum

3443Lajm i keq për buxhetin. Audituesi ndërkombëtar i pajtuar për të zgjidhur konfliktin e taksave mes qeverisë shqiptare dhe “Bankers Petroleum” i ka dhënë të drejtë kompanisë kanadeze.
Ky vendim detyron qeverinë t’i kthejë mbrapsht kompanisë së naftës 57 milionë dollarë taksa, nga të cilat 37 milionë janë arkëtuar sakaq në buxhet.
Konflikti mes palëve kulmoi vitin e kaluar, kur Tatimet bllokuan llogaritë bankare të “Bankers Petroleum”, por zanafilla e tij është viti 2011.
Një raport i Agjencisë së Burimeve Natyrore gjeti se në 2011-n “Bankers” kishte raportuar mbi 300 milionë dollarë shpenzime të pajustifikuara, duke shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin.
Pas llogaritjeve, administrata tatimore deklaroi se përmes këtij veprimi kompania kishte shmangur 57 milionë dollarë taksa. Si rezultat, Tatimet bllokuan llogaritë e kompanisë, e cila kërcënoi me arbitrazh. Pas debateve, u ra dakord në një zgjidhje.
“Bankers” pranoi të paguante detyrimin me këste për 12 muaj, por në të njëtën kohë palët ranë dakord që të pajtonin një auditues, i cili do të shqyrtonte konfliktin. Sipas marrëveshjes, vendimi i audituesit do të ishte përfundimtar.
Këtë të hënë paneli auditues i përbërë nga “Price Ëater House Coopers” dhe “Navigant” bëri publik raportin, ku i japin të drejtë “Bankers” dhe rrëzojnë qeverinë.
“Vendimi është një zgjidhje përfundimtare dhe si i tillë autoritetet në Shqipëri do të përcaktojnë mekanizmin e duhur për të rimbursuar “Bankers” për pagesat e bëra deri më tani”, thotë vendimi.
Vendimi i audituesve detyron qeverinë shqiptare t’i kthejë mbrapsht kompanisë kanadeze 37 milionë dollarë që ajo ka paguar deri më tani dhe të heqë dorë nga pretendimi për të arkëtuar 20 milionë të tjera.
Dhe kjo është një shumë, e cila do të shkaktonte jo pak probleme për buxhetin, pasi është gati dy herë më e madhe se ulja e të ardhurave që qeveria miratoi në korrik.
/ Top Channel

Artikuj te ngjashem

Me te fundit