Duket si akull në rrugë por në të vërtetë nuk është i tillë. Aksi nacional Klos – Bulqizë është bllokuar përreth 1 orë këtë të premte. Shkak janë bërë këto xhama të thyer që kanë mbuluar rrugën.
Një sasi e madhe xhamash janë parë në asfalt në vendin e quajtur Klos Katund të Bashkisë së Klosit. Dyshohet se ato kanë rënë nga një mjet që transportonte xhama.
Sipas policisë mjeti dyshohet të jetë futur me shpejtësi në kthesë çka ka bërë që ngarkesa e xhamave të binte në asfalt dhe të krijonte pamjet e një akulli në rrugë. Të gjitha mjetet e tjera që kanë kaluar më pas janë përballur me këtë befasi, duke rrezikuar çarjen e gomave.
Është dashur ndërhyrja e punëtorëve të firmës mirëmbajtjes së rrugës dhe policisë rrugore në mënyrë që të rikthehej lëvizja normale e automjeteve. Policia ka nisur hetimet për të gjetur drejtuesin dhe automjetin nga i cili kanë rënë xhamat në rrugë./btvnews.al