E martë, 14 Maj, 2024

Pedagogia Lili Sula: Arsimi i lartë është në rënie të lirë, po rrënohen universitetet

Lili Sula, drejtuese e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, njëherësh dhe pedagoge e letërsisë, ka folur gjatë fjalës së saj në protestën para kryeministrinë në lidhje me sistemin arsimor në vendin tonë.

Ajo u shpreh se arsimi i lartë është në rënie të lirë, duke theksuar se lëvizja universitare kërkon të kthehet liria universitare.

Lëvizja universitare – stafet ndihmësakademike, administrative e studentore, pa mbështetjen e të cilëve nuk ka kuptim puna e pedagogëve – kërkoi rritjen e buxhetit për kërkimin shkencor  në 0.3 % të PBB, kur aktualisht është 10 herë më i ulët dhe shumë herë më i ulët se vendet e rajonit.

Lëvizja universitare kërkoi t`i rikthehej e drejta e mohuar e indeksimit të pagës – e cila do të rriste mbi 40 % pagat e stafit universitar; por që në shkelje të hapur të ligjit nuk është kryer prej shumë vitesh.

Dhe besoj se cilido e di mirë, se ka një paradoks të thellë mes trajtimit financiar të kërkuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ku paga mesatare shkon 3500 euro dhe pedagogëve të tyre – prej të cilëve diplomohen – me pagë mesatare 2 herë më të ulët se kolegët në Kosovë.

Lëvizja universitare kërkoi dhe kërkon t`i rikthehet autonomia dhe liria akademike universiteteve, që përbëjnë themelet e tyre, kërkoi vëmendje për degët e studimeve albanologjike, që shënojnë identitetin tonë kombëtar, të cilat nga viti në vit po pësojnë rënie të ndjeshme të numrit të studentëve, ndërkohë që një pjesë e tyre po i venë kyçin portave të dijes, thënë ndryshe kërkoi që qeveria të kthente sytë nga bota universitare e ta trajtonte me dinjitet ashtu siç i takon elitës së shoqërisë, por u ndesh me presione, intimidime e shantazhe nga më të shëmtuarat e me një ligjërim kryeministror që s`do t`i lejohej as një personi me arsim të detyruar.

Ndaj është dita t`i bëjmë STOP nëpërkëmbjes së qytetarëve, punonjësve, stafeve universitare e studentëve, t`i bëjmë STOP nëpërkëmbjes së mbarë shoqërisë sonë nga kjo qeveri dhe kreu i saj, z. Rama”, u shpreh Sula./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit