E shtunë, 18 Maj, 2024

Harta e re gjyqësore, KLGJ: Të nisë funksionimi i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi këtë të hënë vendimin “Për fillimin e funksionimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm”, i cili vjen në zbatim të VKM-së Nr.495, datë 21.7.2022, “Për riorganizimin e Rretheve Gjyqësore dhe kompetencave tokësore të Gjykatave”.

Në një njoftim për mediat, KLGJ njofton se akti i miratuar nga Këshilli është një akt normativ nënligjor, i cili është i harmonizuar me misionin, vizionin dhe vlerat thelbësore të pushtetit gjyqësor, si dhe Objektivin Strategjik 3 të Planit Strategjik të KLGJ 2022- 2024, që synon përmirësimin e ofrimit të shërbimeve efikase përmes miratimit dhe zbatimit të Hartës së re Gjyqësore.

Ky vendim është konceptuar si një vendim kuadër që përcakton tërësinë e parimeve që do të udhëheqin procesin e zbatimit të riorganizimit të kompetencave tokësore të gjykatave të apelit, duke synuar vijimësinë në drejtimin dhe ofrimin e shërbimeve gjyqësore, administrative dhe atyre mbështetëse nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, në datën 1 shkurt 2023.

Parimet bazë mbi të cilat është hartuar akti i miratuar sot përfshijnë garantimin e vazhdimësisë së ofrimit të shërbimit qytetarëve dhe përdoruesve të gjykatës në një gjykatë plotësisht funksionale në datën 1 shkurt 2023, parimin e efikasitetit në trajtimin e procesit të riorganizimit, mbajtjen në konsideratë të kapaciteteve njerëzore dhe profesionale të gjykatave, përmbylljen e procesit të riorganizimit brenda afatit të caktuar dhe me transparencë.

Vendimi është hartuar duke marrë në konsideratë standardet më të mira ndërkombëtare, të cilat kanë udhëhequr procesin e vlerësimit dhe përgatitjes së hartës se re gjyqësore, që synojnë të garantojnë ofrimin e shërbimeve, specializimin dhe racionalizimin e shpenzimeve publike.

Akti i miratuar reflekton tërësinë e masave që duhen marrë paraprakisht me qëllim që konfigurimi i ri i propozuar të garantojë vazhdimësinë dhe funksionalitetin e pandërprerë të shërbimeve në gjykatë./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit