E hënë, 29 Prill, 2024

Berisha: Primaret janë tashmë pasaporta e hapjes dhe ndryshimit thelbësor të PD

Partia Demokratike ka zhvilluar sot mbledhjen e Kryesisë, ku një ndër pikat e diskutuara ishte dhe procesi i Primareve për zgjedhjet lokale.

Në fjalën e tij, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë se Primaret janë pasaporta e hapjes së PD dhe është procesi që ka krijuar impakt pozitiv tek anëtarët dhe simpatizantët e kësaj partie.

Ai shtoi se në Primare janë regjistruar mbi 200 kandidatë, jo vetëm nga brenda PD por dhe nga shoqëria civile.

Kjo mbledhje ka dy çështje madhore. Miratimin në vazhdim të kandidaturave për primare në bashkitë e mbetura dhe do të diskutojë rreth aksionit opozitar në tërësi. Primaret janë bërë tashmë pasaporta e hapjes dhe ndryshimit thelbësor, palcor të PD-së.

Ato kanë krijuar një impakt shumë pozitiv tek anëtarët dhe simpatizantët tanë, por në përgjithësi tek të gjithë shqiptarët që besojnë tek vota e lirë, dhe respekti tek individi. Shqiptarët kanë nevojë jetike për ndryshimin e PD-së, si parti e shpresës, besimit dhe të ardhmes. Ndryshimi natyrisht realizohet vetëm me vepra, me hapa konkretë.

Në këtë kontekst ne pas ndryshimeve të thella dhe një cikli të paprecedentë votash brenda në parti, pas miratimit të rregullave, kushtetutës tonë partiake, zgjedhjeve me primare të kryetarëve të degëve, ne tashmë kalojmë në zgjedhjen nga anëtarët dhe simpatizantët tanë të qeveritarëve vendorë.

Kjo përbën pa diskutim ndryshimin më të madh të kësaj force politike në këto 30 vite. Por kjo përbën njëkohësisht edhe hapjen e saj institucionale me të madhe në tërë ekzistencën e saj.

Hapja është shumëformëshe, por primaret janë forma më institucionale, më e rëndësishme e kësaj hapje. Sot ne kemi mbi 200 e ca kandidatura të cilat vijnë nga PD, shoqëria civile, bota akademike, por edhe nga diaspora dhe emigracioni”, tha ndër të tjera Berisha./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit