E enjte, 25 Prill, 2024

Refuzoi të lajë këmbët e vjehrrit, babë e bir dhunojnë nusen: Im shoq më vuri duart në fyt

Një 32-vjeçar që jeton në Paskuqan ka befasuar policinë me zakonet e prapambetura që kërkoi të respektoheshin pasi bashkëshortja refuzoi të lajë këmbët e vjehrrit. Gruaja i tha boll keqtrajtimit nga 32-vjeçari dhe sipas dosjes, kërkoi ndërhyrjen e oficerëve të policisë (komisariati numër 5).

Rasti i dhunës ekstreme të kryer nga i riu kulmoi mbas refuzimit të të resë e cila nuk pranoi t’i shërbejë vjehrrit sipas rregullave të caktuara në familjen dibrane që është zhvendosur dhe jeton prej vitesh në periferi të Tiranës.

“Kam ardhur me pushime prej dy-tre javësh së bashku me tim shoq dhe fëmijët dhe u vendosëm tek prindërit e tij në Paskuqan”, e nisi rrëfimin e reja.

Para policisë ajo tregon me detaje se i shoqi nuk ishte ndarë nga prindërit që ajo i respektonte sa herë kthehej në Shqipëri.

“Që ditën e parë vjehrri më urdhëroi që unë t’i shërbeja. Më kërkoi t’i jepja ujë dhe i dhashë. Më kërkoi të bëja gati ushqimin dhe pa asnjë problem gatova. Më kërkoi t’i laja këmbët dhe një gjë të tillë në mënyrë absolute nuk pranova ta bëj. Ai filloi të bërtasë”, përmend e reja e cila thotë se ishte ndjerë e poshtëruar nga kjo kërkesë që në familjen e të shoqit ishte shenjë ku nusja duhet të tregonte respekt sipas zakoneve. Gruaja thotë se kishte dëgjuar për këtë zakon, por nuk pajtohej me larjen e këmbëve.

Ky refuzim i saj i solli debate me bashkëshortin që i është lutur të bindet.
“Aty ndërhyri vjehrri dhe nisi të ushtrojë dhunë psikologjike dhe fizike. Edhe im shoq nisi dhunën fizike kur pa që reagova. Më kapën për flokësh dhe krahësh dhe më qëlluan me shpulla. Im shoq befas më vuri duar të fyt dhe më tha ‘do të vras’”. Kjo skenë e tmerrshme për nënën e dy fëmijëve është ndërprerë nga një i afërm që kur ka dëgjuar të bërtiturat, i ka ndarë nga kacafytja. Nusja e re ka vrapuar për në dhomën e gjumit ku mbasi e ka mbyllur me çelës, ka telefonuar direkt policinë.

“Vjehrri fiku energjinë elektrike dhe ndërpreu internetin që mos të kisha komunikime jashtë mureve, por unë e realizova telefonatën me policinë”, thotë më tej gruaja.

Çifti, sipas policisë, jeton në Itali dhe shpesh vijnë për pushime tek prindërit e moshuar të kryefamiljarit.
“Fëmijët e mi ishin dëshmitarë të kësaj skene dhe të dhunës që erdhi sepse refuzova të respektoj zakonet e tyre”, përmend e reja.

Por kryefamiljari që përfundoi në pranga këmbëngul se e shoqja ka luhatje personaliteti dhe se për këtë shkak në vendin ku ata jetojnë në Itali ajo trajtohet me psikologë. Por procesverbalet e marrjes në pyetje të fëmijëve të mitur dolën kundër qëndrimit të të arrestuarit. Policia u bind se përleshja midis të rriturve u ndez nga një zakon që, siç kuptohet, vazhdon të jetë ende prezent në disa familje. /BalkanWeb

Artikuj te ngjashem

Me te fundit