E enjte, 2 Maj, 2024

Ishte shpallur në kërkim për një plagosje në vitin 2019, arrestohet 45-vjeçari nga Bulqiza

Një 45-vjeçar është arrestuar nga Policia e Dibrës pasi ishte shpallur në kërkim për një vepër penale të kryer në vitin 2019. Policia në një njoftim për mediat sqaron se 45-vjeçari banues në Bulqizë, akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër kishte caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në Burg”.

Ai rezulton i përfshirë në ngjarjen e ndodhur në Qershor të vitit 2019, ku në vendin e quajtur “Unaza e re”, dy vëllezër plagosën një person. 45-vjeçari mësohet të ketë qenë i përfshirë në këtë ngjarje dhe është dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë me 8 muaj burg.

NJOFTIMI I POLICISË

Vijon puna për kapjen e shtetasve në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Ishte pjesë e një konflikti me armë zjarri ndodhur mes disa shtetasve, në qershor të vitit 2019 dhe kreu veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës, kapet dhe vihet në pranga 45-vjeçari që ishte i shpallur në kërkim.

Forcat e Posaçme Operacionale në DVP Dibër në bashkëpunim me shërbimet  e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara  përmes inteligjencës informative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, menjëherë kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë  ndaluar shtetasin U. T., 45 vjeç, banues në Bulqizë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim , për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër kishte caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në Burg”.

Në qershor të vitit 2019, në vendin e quajtur “Unaza e re”, dy vëllezërit A.T dhe M.T( të arrestuar më parë nga Policia), kanë plagosur me armë zjarri shtetasin B.D. Si rezultat i hetimeve të thelluara ka rezultuar se pjesë e këtij konflikti ishte dhe shtetasi  U.T., i cili gjatë dhe pas ngjarjes, ka kryer veprime duke penguar zbulimin e së vërtetës së kësaj ngjarjeje. Gjykata e Apelit Tiranë në maj të vitit 2022 e ka dënuar këtë shtetas me 8 muaj burg./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit