Një inovacion teknologjik pritet të marrë jetë shumë shpejt në funksion të sistemit të transportit rrugor. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese mbi “E-Monitorim Mobile” një teknologji e re, e cila do të evidentojë çdo situatë të parregullt të automjeteve në rrugë, që nga mangësitë e dokumentacionit të mjetit, mungesën e licencave të ndryshme dhe rastet e informalitetit në transportin e mallrave apo edhe vetë udhëtarëve.
Risia në monitorimin dhe kontrollin e dokumentacionit të mjeteve rrugore u prezantua nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, si një projekt pilot me teknologjinë më të re amerikane të Motorola Solutions, në bashkëpunim me AKSHI-in dhe Infosoft Systems.
Qëllimi kryesor i projektit është evidentimi transparent i situatës reale mbi mjetet rrugore që qarkullojnë.
Po ashtu do zbulohen parregullsitë në dokumentacionin e mjeteve rrugore, borxhet ndaj shtetit dhe të gjitha gjobat e papaguara./btvnews.al
