E premte, 17 Maj, 2024

Rrëzimi i ashensorit në një pallat në Tiranë, ISHMT: Nuk rezulton i regjistruar

Inspektorati Shtetëtor i Mbikëqyrjes së Tregut ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur ditën e djeshme në Tiranë, ku një ashensor në një pallat në zonën e Unazës së Re ra nga kati 5 deri në katin 0.

Në një njoftim për mediat, ISHMT sqaron se ky ashensor tashmë është i bllokuar dhe se nuk ka qenë fare i regjistruar.

NJOFTIMI I PLOTË:

Në lidhje me incidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në ashensorin në rrugën “Teodor Keko” në Tiranë ku ashensori ra nga kati i 5 në katin 0, nga ana e Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut është bërë inspektimi duke kryer verifikimet paraprake. ISHMT thekson se pas verifikimeve është konstatuar se:

a) Ashensori ka pësuar defekt gjatë funksionimit të tij në kushtet e mbingarkesës me një numër më të madh personash, përtej ngarkesës nominale. Ky incident nuk shkaktoi pasoja të rënda në shëndetin e personave.

b) Ky ashensor nuk rezulton i regjistruar pranë Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut. Referuar legjislacionit të kësaj fushe, personi përgjegjës mbi funksionimin e ashensorit (ndërtuesi ose administratori i pallatit) ka detyrimin ligjor për të bërë regjistrimin e tij. Por në rastin konkret nuk ka një aplikim pranë ISHMT-së për regjistrim, ndërkohë që ashensori ka qënë në funksionim që nga viti 2012.

Nga ana e e personave përgjegjës (ndërtuesi ose administratori i pallatit) për këtë ashensor nuk ishte kryer ndonjëherë vlerësimi i konformitetit (çertifikimi) nga një Organ i Miratuar për Vlerësimin e Konformitetit(OMVK) .

ISHMT thekson se në kushtet kur një ashensori nuk i bëhet vlerësimi i konformitetit me rregullat teknike nga një organizëm OMVK dhe kur nuk bëhet regjistrimi i tij pranë ISHMT-së duke mos ju nënshtruar në vijim inspektimeve periodike, ashensori realisht konsiderohet i pasigurt dhe nuk lejohet të vihet në përdorim.

c) Në momentin e inspektimit të menjëhershëm nga ISHMT, ashensori i lartpërmendur ishte rivendosur në punë nga personat përgjegjës.

d) Në këto kushte nga ana e inspektorëve u morën masat urgjente e heqjes nga funksionimi i ashensorit deri në mënjanimin e gjithë të metave teknike të konstatuara, duke përfshirë për këtë edhe një Organ të Miratuar për Vlerësimin e Konformitetit./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit