E premte, 29 Mars, 2024

VIDEO – Bashkia Mat nderon me titullin “Qytetar Nderi” Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës

Këshilli i Bashkisë së Matit, ka vlerësuar me titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Bashkisë Mat, Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj. Propozimi për dhënien e këtij titulli është bërë nga një grup intelektualësh i trevës së Matit dhe Drejtoria e Mbrojtjes Civile.

Mehaj ka një kontribut të çmuar edhe në luftën e Kosovës, duke mbështetur UÇK-n një pjesë e së cilës stërvitej në “Mollza” të Burrelit. Nëpërmjet një ceremonie të veçantë është bërë edhe dorëzimi i këtij titulli në ambientet e këshillit bashkiak.

Vendimin e Këshillit Të Bashkisë Mat e lexoi kryetarja Elisa Gjasta, ndërsa dorëzimin e pllakadës së nderit e bëri Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj. Vetë Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj tha se ndjehet i nderuar me këtë vlerësim që i është bërë.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu i cili tha se Mati ka ditur gjithmonë të vlerësojë figura të spikatura në fusha të ndryshme. Edhe të pranishmit e tjerë që morën fjalën shprehën konsideratë për vendimin e shpalljes “Qytetar Nderi” i Bashkisë Mat për Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.

Në fund të ceremonisë Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës së Bashku me drejtuesit vendor në Mat si dhe të ftuar të tjerë vizituan pllakadën përkujtimore të ushtarit të UÇK-së Halil Gashi i cili humbi jetën gjatë përgatitjes së tij në repartin e Mollzave në Burrel gjatë periudhës së luftës./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit