E diel, 28 Prill, 2024

Propozimi i Ramës për kreun e SHISH, Bardhi: Të verifikohet figura e Hysenit

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar që Presidenti Bajram Begaj të marrë informacione të thelluara për figurën e Vlora Hysenit, e cila është propozuar nga Kryeministri Edi Rama për të qenë në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Në një postim në mediat sociale, Bardhi shkruan se Hyseni ka qenë drejtuese e institucioneve të inteligjencës në Kosovë dhe është shkarkuar për nxjerrje të sekretit. Ndaj kërkon që të vlerësohet figura e saj dhe që SHISH të mos jetë një institucion nën kontrollin e Ramës.

“Edi Rama ka njoftuar se ka propozuar Znj. Vlora Hyseni si drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar. Mediat raportojnë se znj. Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për “zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”. Këto raportime janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni.

Presidenti i Republikës është i detyruar të marrë informacionet e plota pranë institucioneve të Republikës së Kosovës mbi arsyet e largimit të saj nga të gjitha pozicionet në shërbimet e inteligjencës së Republikës së Kosovës. Për këtë Presidenti i Republikës ka detyrimin të bëjë transparencë për opinionin publik dhe të informoj edhe Kuvendin e Shqipërisë mbi çdo informacion që do të sigurojë.

Siguria kombëtare e Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me sigurinë kombëtare të Kosovës. SHIK nuk mund të jetë kurrë institucion nën kontrollin personal të Edi Ramës, me përzgjedhje personale të tij dhe pa asnjë argument që siguron pavarësinë e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ushtrimin prej tij me profesionalizëm e paanësi të misionit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare”, shkruan deputeti demokrat./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit