E premte, 29 Mars, 2024

Putin kërcënon: Rusia do të vendosë armë bërthamore taktike në Bjellorusi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, thotë se Moska ka arritur marrëveshje për të vendosur armë bërthamore taktike në territorin e aleates së ngushtë, Bjellorusisë, e cila kufizohet edhe me Rusinë, edhe me Ukrainën.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, më 25 mars citoi Putinin të ketë pohuar se nuk ka “asgjë të pazakontë” sa i përket këtij hapi, dhe se ai nuk shkel traktatet ekzistuese kundër përhapjes së armëve bërthamore.

“Jemi marrë vesh me [sundimtarin bjellorus, Alyaksandr] Lukashenka që të vendosim armë bërthamore taktike në Bjellorusi, pa shkelur regjimin e mospërhapjes”, është cituar të ketë thënë udhëheqësi rus, nga TASS.

“Këtu nuk ka asgjë të pazakontë: e para, Shtetet e Bashkuara e bëjnë këtë prej dekadash. Ata që shumë kohë kanë vendosur armët e tyre bërthamore taktike në territoret e vendeve aleate të tyre”, ka thënë ai. “Jemi pajtuar që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë”.

Putin ka shtuar se Rusia po ndërton një depo ushtarake në Bjellorusi, dhe se Moska nuk do t’ia kalojë autoriteteve të Minskut kontrollin e armëve.

Traktati kundër përhapjes së armëve bërthamore është një pakt i rëndësishëm, që ka për qëllim parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore dhe teknologjisë së armëve, i cili është nënshkruar nga më shumë se 190 vende, dhe ka hyrë në fuqi më 1970.

Putin më 25 mars po ashtu kërcënoi me dërgimin e municioneve me uranium të varfëruar për ushtrinë ruse që po lufton në Ukrainë, nëse Perëndimi dërgon municione të tilla për Kievin. Një zyrtar britanik së voni ka sugjeruar se Londra mund ta bëjë një gjë të tillë.

“Rusia, sigurisht, ka kundërpërgjigjen. Pa ekzagjeruar, ne kemi qindra mijëra predha të tilla. Ne nuk i kemi përdorur ato ende”, ka thënë Putin në televizionin rus.

Ushtritë përdorin municionet me uranium të varfëruar për shkak të efikasitetit të tyre kundër tankeve dhe automjeteve të tjera të blinduara./REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit