E shtunë, 1 Nëntor, 2025

Yuri Kim deklaratë të fortë kundër të shpallurve ‘non grata’: Nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit shqiptar

Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka deklaruar se personat e shpallur ‘non grata’ nga SHBA nuk duhet që të garojnë në zgjedhje dhe të përfaqësojnë shqiptarët.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kim duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha dhe personave të tjerë të shpallur ‘non grata’ ajo tha se “është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret”.

Është një gjë e gabuar. Është e gabuar. Në mendimin objektiv dhe të mirëmenduar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, personat të cilët janë të përcaktuar, nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit shqiptar. Populli shqiptar meriton më mirë dhe kërkon më mirë. Me këtë ka të bëjë demokracia, me këtë ka të bëjë edhe reforma në drejtësi.

Dhe mendoj se kur ke njerëz të përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës, kur këta individë pretendojnë që do të largojnë korrupsionin, është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret; madje jo vetëm kaq, por kërkon edhe të gjitha shkrepëset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë. Është thjesht e gabuar, e gabuar.

Dhe mendoj se qytetarët e zakonshëm shqiptarë janë të zgjuar dhe e dinë se kjo nuk ka logjikë. Mendoj se qytetarët shqiptarë meritojnë më mirë dhe më shumë se aq; Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se Shqipëria meriton dhe duhet të jetë më mirë“, është kjo deklarata e Yuri Kim./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit