Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp nga Podgorica pas takimit me Dritan Abazoviç komentoi edhe vizitën e djeshme në Prishtinë ku nuk u takua me Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës.
Kryeministri tha se nuk shkoi atje për “t’u martuar me Albinin”. Ai u shpreh se nuk ka asnjë problem personal dhe institucional me Kurtin.
“Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin dhe nuk ndihem i fyer si një dhëndër të cilit nusja nuk i doli në takim. Shkova në Prishtinë siç erdha dhe këtu, siç do shkoj dhe pas pak në Beograd për të pasur takime si kryeministër i Shqipërisë.
Në mënyrën më absolute nuk kam asnjë problem personal dhe aq më pak pastaj një problem institucional me kryeministrin e Kosovës. Kam vetëm qëndrime të kundërta lidhur me një situatë të caktuar. Kaq.
Natyrisht këtë situatë e përjetojmë dhe duam ta trajtojmë në mënyra të ndryshme. Unë e përjetoj si një situatë që duhet ta trajtojmë së bashku duke ulur dhe biseduar. Albini e përjeton si një situatë që duhet ta trajtojë pa u takuar dhe pa biseduar dhe është në të drejtën e tij”, tha Rama./btvnews.al
