E premte, 31 Tetor, 2025

Banorët e Strikçanit kërkojnë hapjen e shkollës për fëmijët e tyre

Ditën e hënë nis viti i ri shkollor por banorët e fshatit Strikçan, në Njësinë Administrative Zerqan të bashkisë Bulqizë, kërkojnë të ripahet godina e shkollës së tyre.

Kjo për të vetmen arsye se shkolla, ku aktualisht është caktuar të mësojnë fëmijët e tyre në fshatin Godvi, është në distancë të largët.

Ata janë të shqetësuar më së shumti për fëmijët që ndjekin arsimin fillor, pasi detyrohen të presin mbarimin e mësimit të klasave të 8 dhe 9-ta deri në orën 14.00, që të kthehen me mjetin e transportit të nxënësve në shtëpi.

Sipas banorëve, kjo godinë shkollore në fshatin Strikçan duhet të ishte rihapur, pasi ka qenë edhe premtim i dhënë gjatë fushatës elektorale.

Ndonëse të hënën e 11 shtatorit nis viti i ri shkollor, banorët e fshatit Strikçan shpresojnë se godina shkollore e fshatit të tyre do të rihapet, ndërsa ka nga ata që e mendojnë të mos i dërgojnë fëmijët në klasë të parë në shkollën e Godvisë, vetëm për shkak të largësisë.

Ata kërkojnë nga instancat përkatëse të rikthejnë shkollën siç ka qenë në Strikçan për shkollimin e fëmijëve të tyre. \btvnews.al

 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit