E premte, 31 Tetor, 2025

Izraeli siguron kufirin me Gazën, vijon sulmet ajrore. Kthehen dhe 11 shqiptarë

Izraeli ka siguruar kufirin me Gazën pasi militantët thyen barrierën në disa vende të ndryshme të shtunën. Asnjë militant nuk ka kaluar gardhin sipas ushtrisë izraelite gjatë ditës së kaluar.

Vijojnë sulmet ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës. Të paktën 200 shënjestra u goditën përgjatë natës.
Izraeli këshilloi njerëzit që të largohen nga Gaza nëpërmjet pikës që kontrollohet nga Egjipti. Më vonë, po të njëjtët thanë se pika e kalimit është e mbyllur.

Rreth 900 veta kanë humbur jetën në Izrael që prej sulmeve të së shtunës. 260 prej tyre janë pjesëmarrës në një festival muzikor. Ushtria izraelite thotë se ka gjetur trupat e 1500 militantëve. Ndërkohë në Gaza janë vrarë nga sulmet ajrore 690 persona.



Të rinjtë izraelitë rrëfejnë panikun në masakrën e festivalit muzikor


Sahar Bena Sela gjatë gjithë kohës rri i heshtur nëpër korridoret e spitalit. Qëndron i ulur në karrocë pasi është dëmtuar në këmbë dhe ka marrë një plumb në dorë. 30-vjeçari është një nga të mbijetuarit e masakrës në festivalin muzikor, ku humbën jetën 260 të rinj. Tregon se ‘megaparty’ me tre skena dhe dhjetëra DJ, u shndërrua shpejt në një masakër.

“Ishte një ferr i vërtetë. Kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Unë kam qenë në dy luftëra në jetën time dhe kurrë nuk kisha parë diçka të tillë. Trupa të pajetë gjithandej, një masakër… Atyre nuk u interesonte nëse je burrë apo femër, në je i ri apo plak, ata janë vrasës. Ajo që kanë bërë nuk falet kurrë. Një ditë do të hakmerremi ndaj Palestinës”.

I riu mundi të arratisej, por mbeti i plagosur në krah. 30-vjeçari ndihmoi të shpëtonin disa të rinj. Në festë ishte edhe Elad Hakimi, i cili thotë se brenda pak sekondash u kthye nga parajsa në ferr.

“Gjëja që dua më shumë është të zgjohem nga ky makth, të harroj gjithçka që ka ndodhur. Gjithçka ishte kaq e mahnitshme, festa më e mirë që kam qenë në jetën time, derisa ajo në një sekondë, kaloi nga parajsa në ferr.”

Ai dhe miqtë e tij e kuptuan shpejt se duhej të shpëtonin nga  breshëria e krismave që vinin nga çdo drejtim.

“Rreth orës 06:30 u lëshuan raketat… Të gjithë kishin frikë, sepse nuk po e kuptonim se çfarë po ndodhte. Vajzat filluan të bërtasin. Nuk e dinim ku të shkonim, çfarë të bënim. Të gjithë menduan në fillim se kjo ishte normale, se do të kalonte, por qielli ishte i kuq, 300-400 raketa u lëshuan në sekonda. Në fillim menduam se ishin fishekzjarrë, pasi ishim në festë”.

Hakimi kujton se si ai dhe miqtë e tij u bënë dëshmitarë të një skene të përgjakshme.

“Ishin dy burra në motoçikleta në rrugë me kallashnikov, të cilët filluan të na qëllonin teksa po kalonim. Unë kalova përmes tyre me shpejtësi”, të gjithë kokat tona ishin ulur, plumbat fluturonin gjithandej.

Ai kujton se mundën të qëndronin në një dhomë të sigurt, në një bazë ushtarake për 12 orë. Pas orëve të gjata mbushur me frikë e ankth, ai më në fund  mundi të kthehej në shtëpi.

“Ne hymë brenda kësaj baze, nuk na interesonte më asgjë dhe filluam të bërtisnim që dikush të na ndihmonte, por askush nuk na ndihmoi. Kërkuam dhe gjetëm një dhomë të sigurt dhe u fshehëm atje gjatë gjithë kohës. Kur hymë në këtë bazë kishte 50 terroristë, po prisnin, por ne fatmirësisht morëm një drejtim tjetër. Gjatë gjithë kësaj kohe dëgjoje të shtënash armësh, njerëz që vriten, ulërima. Njerëzit humbën jetën në vende të ndryshme brenda bazës.”

Pasi i shpëtoi militantëve, Hakimi kujton se u dërgoi një mesazh prindërve të tij për t’i qetësuar.

“U shkrova prindërve, i dërgova shokut tim një audio për t’u thënë prindërve të mi se nuk kam vuajtur dhe se gjithçka do të shkojë mirë”.

Në fund të intervistës me gazetarët e Agjencisë së Lajmeve Reuters, uron që Izraeli të hakmerret ndaj Palestinës.

“Shpresoj që të gjithë ata persona që janë rrëmbyer të arrijnë të shpëtohen. Uroj që ta rrafshojnë Gazën. Shpresoj që gjërat në qeverinë tonë të ndryshojnë, që dikush të marrë përgjegjësinë për atë që ka nevojë të bëhet tani”.

Vendi ku ndodhi tragjedia ishte shumë pranë kufirit me rripin e Gazës. Luftëtarët e Hamasit pritën deri në agim për të nisur sulmin, më i rëndi ndaj popullsisë izraelitë gjatë këtyre katër ditëve.

Konflikti Izrael-Palestinë, Irani mohon përfshirjen

Teherani ka mohuar përfshirjen në sulmin e militantëve të Hamasit në Izrael. Në fjalimin e tij të parë televiziv që nga sulmi, udhëheqësi i Iranit Ayatollah Ali Khamenei, vlerësoi nismëtarët e këtij sulmi.

“Përkrahësit e regjimit të Izraelit dhe disa njerëz brenda vetë regjimit, kanë bërë deklarata të rreme në ditët e kaluara dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë, duke përfshirë faktin se Irani qëndron pas këtyre veprimeve. Ata e kanë gabim. Sigurisht ne mbrojmë Palestinën, mbrojmë luftën, puthim duart e atyre të rinjve palestinezë inteligjentë dhe trima që planifikuan sulmin ndaj këtij regjimi. Ne jemi krenarë për ta.”

Shtetet e Bashkuara bënë të ditur të hënën se Irani ishte bashkëpunëtor në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, por shtoi se nuk kishte prova që provonin këto pretendime. Gjenerali i lartë amerikan Mark Milley paralajmëroi Iranin që të mos përfshihej në krizë, duke thënë se ai nuk donte që konflikti të zgjerohej. Edhe Rusia ka reaguar për akuzat e presidentit Volodimir Zelenski se është në interesin e Moskës të nxisë luftën në Lindjen e Mesme.

“Pretendimet e Zelenskit nuk kanë absolutisht asnjë bazë. Ky është një konflikt i vjetër. Konfliktin palestinezo-izraelit, ka rrënjë dhe shumë kontradikta të thella. Shumë mund ta dinë sfondin, por është aq i thellë sa jo të gjithë i dinë nuancat”.

Ndërsa kryeministri britanik Rishi Sunak shprehu solidaritetin e tij me komunitetin hebre në Britaninë e Madhe.

“Nuk ka dy anë të këtyre ngjarjeve. Nuk bëhet fjalë për ekuilibër, unë qëndroj me Izraelin. Mbretëria e Bashkuar qëndron me Izraelin kundër këtij terrorizmi sot, nesër dhe përgjithmonë”.

Gjatë mbrëmjes së të hënës, Shtëpia e Bardhë u ndriçua në blu dhe të bardhë në mbështetje të Izraelit.

 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit