E premte, 26 Prill, 2024

“Ka dyshime për shkelje të rregullave”, PD: Në 14 muajt e fundit, bashkitë kanë kryer tendera me vlerë 183 milionë euro

Partia Demokratike thotë se në 14 muajt e fundit, Bashkitë e vendin kanë kryer 1374 tendera me vlerë 183 milion euro.

Në një deklaratë për mediat, sekretarja për pushtetin vendor dhe decentralizimin, Alfrida Marku thotë se  ka dyshime të arsyeshme për shkelje të rregullave për prokurimet publike.

“Shpërdorimi dhe abuzimi me fondet e pronën publike, janë shkaku kryesor i gjendjes ku vendi ynë është sot: ekonomi në krizë, shqiptarë që largohen, biznese që mbyllin aktivitetin për shkak të taksave të larta e pabarazisë në mundësi konkurrimi”, thotë Marku.

Deklarata 

Në vetëm 14 muajt e fundit, në Bashkitë në vendin tonë janë kryer 1374 tendera me vlerë 183 milion euro në kushtet kur ka dyshime të arsyeshme për shkelje të rregullave për prokurimet publike.

183 milion euro nga taksat e qytetarëve shqiptar ka dyshime se janë shpërdoruar duke mos patur objektiv investimet cilësore dhe përmirësimin e shërbimeve publike vendore, por mundësinë për abuzimin me pushtetin. Mijëra operatorë ekonomik janë cënuar në të drejtën e tyre të konkurrimit të lirë e të drejtë, duke penguar shërbimet dhe zhvillimin ekonomik. 

Përveç problematikave të tjera të konstatuara, rezulton se 701 procedura janë kryer në mungesë konkurrencë; 652 procedura duke skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit.

Shpërdorimi dhe abuzimi me fondet e pronën publike, janë shkaku kryesor i gjendjes ku vendi ynë është sot: ekonomi në krizë, shqiptarë që largohen, biznese që mbyllin aktivitetin për shkak të taksave të larta e pabarazisë në mundësi konkurrimi.

183 milion euro janë sa 60% e Buxhetit të këtij viti në Bashkisë Tiranë.

183 milion euro të adresuara në procedura të dyshimta të prokurimeve publike janë po aq sa Buxheti për 4 vite në Bashkinë Durrës; sa buxheti i 5 viteve për bashkitë Elbasan dhe Kamëz; sa buxheti për 6 vite në Bashkinë Vlorë; i 10 viteve për Bashkinë Lezhë; 11 vite për Bashkinë Saranda; 7 vite për Bashkinë Shkodër.

Në emër të Partisë Demokratike, të vendosur me çdo kusht për mbrojtjen e interesit publik, në mbështetje të çdo iniciative ekonomike apo biznesi, kërkojmë nga institucionet kompetente marrjen e masave ndaj çdo rasti abuzimi me taksat e shqiptarëve dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, në rastin konkret në fushën e prokurimeve publike.

Inkurajojmë Kontrollin e Lartë të shtetit dhe Autoritetet e Drejtësisë të marrin masa administrative dhe penale ndaj çdo rasti shpërdorimi dhe abuzimi, për ti hapur rrugë profesionistëve që duan të shërbejnë në institucionet publike vendore dhe qendrore, në mënyrë që taksat që qytetarët e 61 bashkive paguajnë, tu kthehen atyre në shërbime vendore të përmirësuara dhe investime cilësore, si dhe ti hapet rrugë konkurrencës së drejtë e të barabartë midis operatorëve ekonomik. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit