Ndeshja mes Sllovenisë dhe Portugalisë përfundoi me rezultat 2-0, e vendosur nga golat e Cerin dhe Elsnik. CR7 luajti të gjithë miqësoren, por prania e tij nuk mjaftoi për të evituar humbjen. Rezultati nuk u tret dot nga Ronaldo, i cili pas fishkëllimës së fundit u inatos pak me të gjithë, teksa largohej nga fusha, duke gjestikuluar me inat, pa kursyer as tifozët e pranishëm në tribunë, duke iu bërtitur e fyer.

Me pak fjalë, ishte një mbrëmje për t’u harruar për pesë herë fituesin e “Topit të Artë”. Tërbimin e shoqëroi me gjestikulime, madje nuk kurseu as gjyqtarin e katërt me një gjest elokuent. Me dy gishta ka treguar dy penalltitë që sipas tij duhej t’i jepeshin kombëtares portugeze.

 

Edhe pse luan për Al Nassr në Arabinë Saudite, edhe pse është 39 vjeç, ai mbetet ende lojtar i pazëvendësueshëm për Portugalinë. Ronaldo po përgatitet të luajë në Kampionatin Evropian të gjashtë, diçka që askush nuk e ka arritur ndonjëherë. 20 vite më parë ishte në fushë, në edicionin e luajtur në Portugali, të fituar nga Greqia, ndërsa në Gjermani do të sfidojë Turqinë, Gjeorgjinë dhe Çekinë në grup.