E shtunë, 20 Prill, 2024

Vrima e Ozonit po mbyllet

3Shkencëtarët thonë se kanë gjetur provat e para të qarta se famëkeqja “vrima e ozonit” mbi Antarktidë po mbyllet, transmeton TCh njoftimet. Teknikisht nuk bëhet fjalë për një vrimë në kuptimin klasik, por për një hollim të shtresës së ozonit, e cila, sipas ekspertëve, tashmë po shërohet.
Pas shumë studimeve të kryera, shkencëtarët thanë se në shtator të vitit 2015, vrima e ozonit ishte rreth 4 milionë km katror më e vogël sesa në vitin 2000, një reduktim i afërt me sipërfaqen e Indisë. Raporte të ndryshme për këtë reduktim thonë se riparimi i vrimës së ozonit është meritë e eliminimit afatgjatë të kimikateve që e shkatërrojnë atë.
Vrima e ozonit u zbulua nga shkencëtarët britanikë në mesin e viteve 1980. Studimet që pasuan treguan se shtresa e ozonit po dëmtohej nga gazrat që ne përdornim në pajisje si frigoriferë apo kondicionerë, madje edhe tek sprai për flokët.
Pas një fushate sensibilizimi global, përdorimi i këtyre gazrave u ndalua në të gjithë botën dhe rrjedhimisht shtresa e ozonit po rimëkëmbet. Kjo e fundit është tejet e rëndësishme pasi bllokon rrezatimin e dëmshëm ultravjollcë nga dielli.
Shkencëtarët thanë se pas viteve matje, kanë vënë re se shtresa e ozonit po rifiton ngadalë masën e saj fillestare dhe pritet që në vitet 2050 apo 2060 të jetë shëruar plotësisht.
/tvbulqiza.al/

Artikuj te ngjashem

Me te fundit