E premte, 19 Prill, 2024

Dhuna ndaj mjekes në QSUT, reagon ministria: Dënojmë aktin, drejtësia të zbardhë ngjarjen

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar për ngjarjen e ndodhur sot në QSUT, ku dy persona kanë dhunuar një mjeke dhe kanë dëmtuar dyert dhe dritaret e këtij spitali. Në një njoftim për mediat dënon aktin dhe thotë se dhuna ka ndodhur ndaj mjekëve në krye të detyrës.

Ministria siguron qytetarët se shërbimi mjekësor është garantuar dhe do të vijojë të garantohet për çdo qytetar nga personeli shëndetësor i kualifikuar.

NJOFTIMI I PLOTË:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj ekipit të mjekëve dhe infermierëve në Spitalin Infektiv, të cilët kanë qenë në krye të detyrës, duke reanimuar një pacient në gjendje të rëndë, teksa janë goditur dhe dhunuar nga familjarët e pacientit.

MSHMS e konsideron të patolerueshëm çdo akt dhune ndaj personelit shëndetësor dhe inkurajon organet e drejtësisë të çojnë deri në fund zbardhjen e kësaj ngjarjeje, duke çuar para drejtësisë autorin/autorët që kanë ushtruar dhunë ndaj mjekëve dhe infermierëve në detyrë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron qytetarët se shërbimi mjekësor është garantuar dhe do të vijojë të garantohet për çdo qytetar nga personeli shëndetësor i kualifikuar. MSHMS mbështet stafin mjekësor që shërben çdo ditë me përkushtim e profesionalizëm për pacientët dhe dekurajon çdokënd që nxit gjuhën e urrejtjes ndaj mjekëve dhe infermierëve./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit